Tirana histori suksesi, sipas Institutit Amerikan të Arkitekturës

08/04/2018 12:24

Tirana është përzgjedhur nga Instituti Amerikan i Arkitekturës si një histori suksesi dhe shembull se si një qytet mund të transformohet edhe me pak buxhet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë si i ftuar special në Konferencën ndërkombëtare me temë “Hapësira rinore dhe transformimi urban”, e cila u zhvillua dje në Prishtinë dhe ku morën pjesë mbi 100 arkitektë nga e gjithë bota.

“Kjo nuk është vetëm punë bashkie, kjo është punë qyteti, sidomos kur kontribuojnë të gjithë, edhe fëmijët, edhe të rriturit, edhe gjyshërit, edhe ata që mbjellin, ata që pastrojnë, që kujdesen për korsitë e biçikletave, që transformojnë hapësirat urbane, duke filluar nga Pazari i Ri tek Bulevardi i Ri”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj.

Veliaj tha se në vëmendjen e Bashkisë së Tiranës në planin e saj të investimeve do të jetë dhe përmirësimi i infrastrukturës në tre lagjet e reja të krijuara në kryeqytet, si pjesë e zonës urbane, të cilat do të emërtohen “Lagja 12”, “Lagja 13” dhe “Lagja 14”.

Top Channel