Sulmi me mikrobus në Munster, nuk ishte terrorist

08/04/2018 11:47

Tragjedia e Münsterit, ku 3 persona u vranë nga një sulm me mikrobus, në fund rezultoi se nuk ka sfond terrorist, por autori i krimit, sipas gazetës “Süddeutsche Zeitung”, ishte një 48-vjeçar vendas me probleme psikike.

“Bild”nga ana tjetër sqaron se agresori që përdori automjetin për t’u vërsulur mbi turmën e njerëzve, nuk ka qenë person i njohur për policinë. Ai vrau veten menjëherë pas ngjarjes, duke përdorur një armë zjarri. Policia gjermane ka kontrolluar apartamentin e 48-vjeçarit për të zbuluar nëse mbante lëndë shpërthyese e po kontakton edhe me ata që e njihnin.

Raportet në media tregojnë se 6 prej 20 të lënduarve nga incidenti, janë në gjendje të rëndë. Tragjedia ndodhi në restorantin tradicional ‘Kiepenkerln’, mjaft i preferuar tek qytetarët e Münsterit dhe turistët, dhe në një ditë me mot të mirë si e shtuna, restoranti ishte kthyer në një pikë takimi për shumë vetë.

Pjesa e vjetër e qytetit, e cila u kthye në skenën e fatkeqësisë, njihet për arkitekturën e shekullit të XIX. Kryebashkiaku i Munsterit, Markus Lewe tha në komentet për shtyp se i gjithë qyteti mban zi për këtë ngjarje të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave si dhe shpresën për shërim të shpejtë të të plagosurve.

Top Channel