8 prilli është Dita Ndërkombëtare e Romëve. Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive të viteve të fundit, përfaqësues të këtij minoriteti dolën mesditën e të dielës përpara kryeministrisë të pakënaqur për ligjin për mbrojtjen e pakicave kombëtare, nga i cili ndihen të pambrojtur.
“Është shumë e vështirë për komunitetin romë që të gjejnë prova të diskriminimit. Kërkojmë përmirësimin e këtij ligji, bazuar në nevojat e identifikuara nga praktika e zbatimit të tij. Veçanërisht përmbysjen e barrës së provës dhe lënie e tij personit të paditur”, shprehet Manjola Veizi.
Në sheshin përpara Kryeministrisë dolën një numër i kufizuar aktivistësh, por mjaftueshëm sa për t’iu drejtuar qeverisë me kërkesa konkrete.
“I kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të mundësojë nëpërmjet programeve të veçanta, kontroll të vazhdueshëm shëndetësor falas. Të zbatohet e drejta për gjuhën rome në shkollat fillore. Të sigurohen tekste shkollore falas”, tha Veizi.
Romët kërkojnë gjithashtu vëmendje për regjistrimin civil të tyre, kredi për sipërmarrësit rom dhe bursa për nxënësit rom në nevojë.
Top Channel