Sonte në mesnatë besimtarët ortodoksë do të festojnë ngjalljen e Krishtit. Kësaj feste fetare i është paraprirë me një javë të rëndësishme nga besimtarët.

Simbol i festës është veza e kuqe dhe buka e Pashkës.

Java e Pashkës shoqërohet edhe me kryerjen e shumë riteve tradicionale në familjet e besimtarëve ortodoksë.

Dita e enjte sipas traditës i gjen amvisat korçare me përgatitjen e vezeve të kuqe dhe bukës me qiqër, një traditë e cila është ruajtur me fanatizëm edhe në kohën kur ishte e ndaluar nga sistemi.

Dhimitra Llazari është 77 vjeçe dhe ka arritur të ruajë me fanatizëm ritualet e Pashkës. Veza e kuqe e Pashkës dhe Buka janë simboli kryesor i kësaj feste.

E enjtja e madhe, siç njihet në kalendarin ortodoks ka nisur herët për të moshuarën, e cila tregon mënyrën e përgatitjes.

Kjo traditë, e cila sot është masive dhe thuajse e gjen në çdo shtëpi, para viteve ’90 ishte e ndaluar, por pavarësisht këtij fakti rituali nuk ka humbur asnjëherë, sepse gratë dhe të rejat korçare e kryenin në fshehtësi.

Mita, siç e njohin të gjithë ishte njëra prej atyre grave që guxonte në fshehtësi, edhe pse i dinte rreziqet që i kanoseshin nëse ajo zbulohej.

“Që fëmijë kur ishim në fshat i kemi bërë këto tradita”, thotë ajo.

Veza e kuqe e Pashkëve vendoset në çdo shtëpi, për të sjellë shëndet dhe mirëqënie. Me të fillon vakti I parë pas kreshmës së gjatë te pashkeve.

Top Channel