Pashkët ortodokse u pritën të vinin bashkë me Alexis Tsipras në Shqipëri, por kjo nuk ndodhi. Një vizitë e kryeministri grek në Shqipëri u paralajmërua për në muajin prill, që në takimin e janarit në Korçë mes dy ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kozias.
“Edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm”, do të thoshte atëherë ministri Bushati.
Fryma pozitive në bisedimet dypalëshe e paralajmëroi si të mundur takimin mes dy kryeministrave, madje nëse gjithçka shkonte mirë, Tsipras pritej të vizitonte familjarisht Korçën për Pashkë dhe në një tjetër takim zyrtar me kryeministrin Rama do të firmosej dokumenti i ri strategjik mes dy vendeve, zyrtarisht në Tiranë.
Takimi i dy kryeministrave në Davos përforcoi këtë mundësi, ndërsa bisedimet po jepnin produkte konkrete. Pala shqiptare nisi punën për ndërtimin e varreve të ushtarëve grekë në Shqipëri. U paralajmërua abrogimi i ligjit të luftës, u tërhoq rezerva për vulën apostile duke krijuar impakt pozitiv praktik për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, si nga ana e procedurave, por edhe kostos së lëshimit të dokumenteve.
Ndërkohë pritet edhe marrëveshja pë lejet e drejtimit të mjeteve. Por “Deti” vështirë të kapërcehej lehtë.
“Nuk ka ende një datë apo afat të finalizuar për këtë gjë (vizitën e Tsiprasit)”, do të shprehej më vonë Bushati.
Ndërsa i pyetur jashtë Kuvendit nga gazetarja e TCH, nëse do ta përgatisnin takimin me kryeministrin në Tiranë, Bushati deklaroi:
“Normalisht puna është në proces”.
Ministri i Jashtëm, edhe pas takimit me homologun grek javën që shkoi, konfirmoi se takimi i nivelit të lartë është zhvendosur nga pranvera për në verë, por deklarimi më i sigurtë ishte brenda vitit. Ai konfirmoi se zvarritja e bisedimeve u bë shkak.
Të paktën publikisht dihet se e vetmja zvarritje, që ndodhi dhe tensionoi jo pak institucionet në vend, ishte kërkesa për të nisur negociatat me Greqinë për një marrëveshje të re për kufirin detar. Presidenti Ilir Meta i dha ministrit Bushati autorizimin për plotfuqishmërinë vetëm pas dy raundeve pyetje-përgjigjesh dhe një konsultimi disaditor me të gjithë faktorët në vend.
“Ne do të kemi të gjithë kohën e nevojshme për të përmbushur këtë objektiv strategjik të zgjidhjes së të gjitha problemeve të bartura me fqinjin tonë jugor. Unë mund t’iu them: Po do të zgjidhet me sukses”, do të shprehej më 26 shkurt kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, mediet greke flasin për një ftohje të marrëdhënieve, pas takimit të kryeministrit Rama me presidentin turk Erdogan, në një kohë tensionesh mes Athinës dhe Ankarasë. Ndërkohë, pritet që ministri i Jashtëm grek të rikthehet së shpejti në Tiranë, por për këtë vizitë, zyrtarisht nuk ka ende datë.
Top Channel