Për herë të parë Londra ka tejkaluar Nju Jorkun sa i takon numrit të vrasjeve dhe për të kuptuar këtë “boom” të krimit një ligjvënës britanik e ka gjetur fajtorin.
Deputeti David Lammy, i pyetur nga BBC se kush qëndron pas vrasjeve të shumta në kryeqytetin britanik drejton kryesisht gishtin nga mafia ruse, por përmend në fjalën e tij edhe shqiptarët.
“Nga deklaratat e policisë di që janë disa grupe të mëdha mafioze nga Europa Lindore. Shqiptarët përshembull, trafikojnë njerëz, trafikojnë drogë, trafikojnë armë”, u shpreh ai.
Deputeti britanik u shpreh se policia nuk i ka burimet e nevojshme për t’u përballur me këto banda dhe fajësoi për këtë edhe politikanët.
“Ne s’po bëjmë asgjë! E kemi lënë pas dore këtë pjesë për vite me radhë dhe tani po vuajmë pasojat”, shtoi ai.
Nga fillimi i vitit në kryeqytetin britanik janë shënuar 30 vrasje.
Vetëm mes 14 dhe 20 marsit kanë humbur jetën të paktën 8 persona, të gjithë nën moshën 30-vjeçare. Rreziku i vjedhjeve në banesa është 6 herë më i lartë se sa në Nju Jork.
Autoritetet lokale po përpiqen të sigurojnë banorët duke theksuar se qyteti mbetet një prej më të sigurtëve në botë. Policia e kryeqytetit njoftoi mobilizimin e 100 efektivëve të tjerë për t’u përballur me krimet. Ndërkaq në New York është shënuar një reduktim i akteve kriminale. Në 20 vitet e fundit, vrasjet janë ulur nga 2 mijë në 230 në vit.
Top Channel