Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, teksa bëhet gati për të garuar për mandatin e tretë qeverisës, ka përshëndetur linjën euro-skeptike të Polonisë fqinje.
Pas një fushate gjatë të cilës Orban e propagandoi veten si shpëtimtar të vlerave kristiane të Hungarisë, përballë fluksit të emigrantëve myslimanë, sondazhet e fundit e nxjerrin partinë e tij ‘Fidesz’ në krye.
Një tjetër fitore mund ta inkurajojë Orban të konsolidojë aleancën e vendeve të Europës qendrore, kundër politikave pro-emigrantëve të Bashkimit Europian, por edhe kundër integrimit të mëtejshëm të bllokut në Union.
Gjithashtu, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”, fitorja do të inkurajojë partitë nacionaliste të vendeve të tjera, si në Poloni dhe në Austri, si dhe do të ekspozojë krisjet në radhët e BE-së.
Të premten, Orban i dha zë kauzës së përbashkët me Poloninë, partia qeverisëse e së cilës, sikurse Hungaria, është kundër pranimit të emigrantëve dhe lobon për përforcimin e kontrollit shtetëror ndaj gjykatave dhe mediave.
“Ne besojmë se polakët dhe hungarezët kanë një shteg të përbashkët, një betejë të përbashkët dhe një qëllim të përbashkët: të ndërtojmë dhe mbrojmë vendet tona ashtu siç duam ne, siç duan vlerat kristiane dhe ato kombëtare”, deklaroi Orban në ceremoninë përkujtimore për aksidentin ajror të vitit 2010, ku humbi jetën presidenti polak.
Kryeministri i bëri të qartë fqinjit se mund të mbështetet tek Hungaria në përplasjet e tij me Brukselin, pasi, siç tha, nëse Polonia sulmohet, e gjithë Europa qendrore ndodhet nën sulm.
Top Channel