Helmimi i ish-spiunit, Ambasada ruse në Londër kërkon takim me Johnsonin

07/04/2018 16:19

Ambasada ruse në Londër ka kërkuar një takim me Sekretarin e Jashtëm britanik, Boris Johnson, në lidhje me helmimin në Salisbury.

Një zëdhënës i Ambasadës tha se, ka ardhur koha për një takim ku të diskutohet mbi hetimin, por edhe mbi një seri temash me interes të dyanshëm.

Ndërveprimi aktual mes Ambasadës ruse dhe Ministrisë së Jashtme britanike, sipas tij është i pakënaqshëm.

“Ne besojmë se është koha për një takim mes ambadasorit Aleksander Jakovenko dhe Sekretarit të Jashtëm, Boris Johnson. Shpresojmë që pala britanike do të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe një takim i tillë të mbahet sa më shpejt”, tha zëdhënësi për BBC-në.

Ministria e Jashtme ka konfirmuar se e ka marrë kërkesën.

Sergei dhe Yulia Skripal u helmuan me një agjent nervor toksik, të quajtur “Novichok”, në Salisbury, më shumë sesa një muaj më parë. Qeveria britanike pretendon se Rusia qëndron pas sulmit, por vet Moska ka mohuar përfshirjen e saj.

Skripal ishte burgosur nga Rusia, i shpallur fajtor për spiunazh për llogari të Britanisë, por u lirua në kuadër të një shkëmbimi spiunësh mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në vitin 2010. Vajza e tij Yulia po e vizitonte në Britani, kur u krye sulmi më 4 mars.

Të dy ata, sipas mjekëve të spitalit të Salisburyt janë jashtë rrezikut dhe shëndeti i tyre po përmirësohet shpejt.

Top Channel