Vllaznia do të presë sot në orën 14:00 Lushnjën në ‘Loro Boriçi’, në një sfidë shumë të rëndësishme për luftën për mbijetesë, të cilën shkodranët duhet ta fitojnë medoemos.
Ernest Gjoka u bën thirrje futbollistë të tij të kenë shumë kujdes përballë Lushnjës që vendit të fundit, duke kujtuar se çdo nënvlerësim i mundshëm mund të kushtojë rëndë.
“Trepikëshi me Lushnjën është i njëjtë si me Skënderbeun, Kukësin apo çdo skuadër tjetër. Prandaj, Vllaznia jo vetëm që nuk e nënvlerëson aspak kundërshtarin e radhës, por duhet të japë maksimumin e saj për ta fituar këtë ndeshje.”
Gjoka merr si shembuj rezultatet e Vllaznisë sezonin e kaluar, apo, kur ishte vetë në krye të verilindorëve, për ta kuptuar me mirë se çfarë do të thotë të mos i japësh rëndësinë e duhur kundërshtarit.
“Asnjë nënvlerësim nuk ka në radhët tona për këtë ndeshje. Vllaznia e ka pësuar vjet, duke nënvlerësuar një skuadër, që kishte rënë nga kategoria. Edhe unë, kur isha te Kukësi, e pësova nga një nënvlerësim i tillë. Duke ditur këtë situatë, e kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen me Lushnjën dhe ky trepikësh ka shumë vlerë për ne”, deklaroi Gjoka.
Për këtë takim, Gjokës i rikthehen në dispozicion mbrojtësit Gocaj e Mersini, si dhe sulmuesi Sukaj, të cilët munguan me Skënderbeun për shkak pezullimi. Trajneri i shkodranëve pritet të jetë në pozita komode, sa i përket përzgjedhjes së formacionit.
Top Channel