Një furgon u përplas pasditen e së shtunës mbi një turmë njerëzish, që ishin ulur jashtë një lokali popullor në qytetin e Münsterit, duke shkaktuar vdekjen e 3 personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve. Andreas Bode, zëdhënës policie, tha për reporterët se drejtuesi i mjetit vrau veten pas përplasjes mbi turmën.
Një nga zëdhënësit e policisë, Peter Nuessmeyer tha për “Associated Press” se nuk mundet të konfirmojë raportet e medies gjermane se, agresori ishte një shtetas gjerman rreth fundit të 40-ave, që vuante nga probleme psikologjike.
Ndërsa më herët, Andreas Bode ishte shprehur për reporterët se drejtuesi nuk ishte identifikuar ende dhe ishte ende herët të spekulohej mbi motivet që e çuan drejt këtij akti. Bode deklaroi gjithashtu se 6 prej 20 të plagosurve ishin në gjendje të rëndë.
Policia reagoi fillimisht përmes “Twitter”-it, duke kërkuar nga banorët “të shmangnin zonën përreth lokalit Kiepenkerl”, në zonën më historike të qytetit, aty ku u zhvillua edhe operacioni policor i shkallës së gjerë.
Sipas policisë, një objekt i dyshimtë u gjet brenda furgonit, të cilin po e ekzaminojnë për të parë nëse përbën rrezikshëmri apo jo. Në një deklaratë të dhënë për agjencinë gjermane të lajmeve “DPA”, policia tha se objekti ishte shkak për vendosjen e një perimetri të gjerë në vendngjarje, menjëherë pas përplasjes.
Kryebashkiaku i Münsterit, Markus Lewe tha se shkaku i përplasjes është ende i paqartë. Televizioni gjerman “N-TV” transmetoi pamjet e rrugës së ngushtë të rrethuar nga shiritat bardhekuq të policisë, ndërsa në vendngjarje u panë dhjetëra ambulanca dhe helikopterë që iu erdhën në ndihmë të plagosurve për transport në spitalin më të afërt.
Münster, një qytet kryesisht universitar, ka rreth 300 mijë banorë dhe një qendër tejet atraktive për turistët, të rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Lino Baldi, pronari i një restoranti shumë pranë skenës së krimit tha për mediet italiane se qendra e qytetit ishte e mbipopulluar, për shkak të temperaturave të larta dhe ditës së pushimit, kur zakonisht bëhet edhe “shopping”.
Top Channel