Alarmi i ndotjes në Shkumbin. Kryebashkiaku i Librazhdit: Jemi të pafuqishëm

07/04/2018 15:03

Pranvera është stina më e bukur dhe më e përshtatshme për të shijuar natyrën. Janë me fat ato qytete që kanë pranë tyre peizazhin fantastik që ofrojnë luginat e lumenjve.

Por, pamja që ofron lugina e Lumit Shkumbin është shndërruar në problem, për të mos thënë në fatkeqësi për qytetet ku kalon ky lumë. Në vend të luleve, këtë pranverë në Luginën e Shkumbinit kanë “çelur” mbeturinat dhe kjo është pamja më e shëmtuar që u ofrohet, jo vetëm banorëve të zonave, por çdo kalimtari, pasi aksi nacional nga Peqini e deri në Prrenjas kalon pothuajse i gjithi përbri Shkumbinit.

Përveç pamjes së shëmtuar, ndotja dhe pasojat e saj janë edhe më të mëdha.

Ambientalisti Landi Mitrushi shprehet: “Ndotja që shkakton plastika është shumë e rrezikshme për florën dhe faunën. Peshqit po ushqehen me copëza plastike, që kalojnë në organizmin e tyre e më pas të njerëzve që konsumojnë peshqit”.

Përballë kësaj situate, bashkitë ndihen të pafuqishme pasi nuk kanë kompetenca.

Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë Librazhd, thotë: “Bashkitë shpenzojnë shumë para’ për të mbrojtur mjedisin, por nga ana tjetër, institucionet që kanë detyrimin ligjor për të vendosur gjoba ndaj kundravajtësve nuk e bëjnë detyrën e tyre. Duhet që bashkitë të kenë mundësinë që të vendosin vetë gjoba”.

E trashëguar ose jo, situata e ndotjes në Shqipëri mbetet alarmante dhe përveç aksioneve sporadike, asnjëherë nuk janë marrë masa konkrete për zgjidhjen e problemit.

Top Channel