Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka urdhëruar administratën tatimore të mos gjobisë bizneset e vogla që hyjnë për herë të parë në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Përmes një shkresë zyrtare Ahmetaj i ka kërkuar Tatimeve që të ndihmojnë biznesin për deklarimin e tvsh-së dhe të shmangin masat ndëshkuese deri në fund të këtij viti.
“Strukturat përgjegjëse në varësi të DPT duhet të asistojnë bizneset për të korrigjuar gabimet në deklarim duke shmangur gjobat dhe penalitetet deri në fund të vitit 2018”, thuhet në letër.
Sipas kreut të Financave do të jetë në përgjegjësi të administratës tatimore të konstatojë çdo deklarim të vonuar apo mosdeklarim të bizneseve që hyjnë në TVSH.
“Deri në 15 korrik, që përbën momentin e parë të deklarimit për biznesin e vogël, administrata tatimore duhet të kontaktojë detyrimisht me çdo subjekt që preket nga ndyrhsimet ligjore duke asistuar tatimpaguesit të deklarojnë në kohë dhe të shmangin parregullsitë”, vijon letra.
Nga 1 prilli bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në janë të detyruara të deklarojnë dhe paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar. Sipas qeverisë, qëllimi I kësaj mase është të mbyllë shtigjet e evazionit për biznesin e madh. Por përfshirja në tvsh ka shkaktuar frikë dhe pasiguri në radhët e biznesit të vogël.
Shumë tregtarë të vegjël ankohen se janë të paqartë dhe nuk kanë njohuritë e duhura për të deklaruar TVSH-në sipas ligjit. Ata i druhen masave ndëshkuese nga tatimet. Por sipas ministrisë së financave administrata nuk do të lejohet ti penalizojë këto biznese deri në fund të vitit.
Top Channel