Ndaj sportistit të arteve të përziera marciale, Conor McGregor, i vetëdorëzuar në policinë e Brooklynit, në Nju Jork, pas përfshirjes në një incident, janë ngritur tashmë dy akuza të rënda: agresion dhe vandalizëm.
29-vjeçari irlandez, ish-kampion i dy kategorive të UFC-së, ishte pjesë e një grupi meshkujsh që sulmuan dhe vandalizuan një autobus, me të cilin udhëtonin “luftëtarë” rivalë, sipas komunikatës së UFC-së.
McGregor u vetëdorëzua në polici rreth orës 21 të mbrëmjes së të enjtes, me orën lokale. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut njoftoi më pas se McGregor do të dilte përpara një gjykatës mëngjesin e kësaj të premteje, në orën 7 (me atë lokale), e pas kësaj është njohur edhe me akuzat që rëndojnë mbi të.
Irlandezi McGregor u bë edhe më i famshëm për shkak të asaj që u quajt si “sfida e shekullit” mes një sportisti të arteve të përziera marciale dhe një boksieri profesionist, si Floyd Mayweather, në gusht të vitit 2017, një sfidë që gjeneroi miliona dollarë të ardhura edhe për vet sfiduesit. Por, ai nuk ka pasur ndonjë dyluftim tjetër në ring që prej nëntorit të vitit 2016, kur mposhti me “knock out” Eddie Alvarezin.
Megjithatë, titulli kampion i peshave të lehta në UFC, irlandezit iu hoq përpara incidentit të së enjtes. Si pasojë e tij, përveç dëmeve materiale u plagosën edhe dy sportistë rivalë.
Top Channel