Gaza, 8 palestinezë të vrarë gjatë protestave në kufi

06/04/2018 21:20

Të paktën 8 palestinezë u vranë dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur nga plumbat izraelitë në kufirin me Gazën, një javë pasi 18 palestinezë të tjerë u vranë gjatë protestave të ngjashme.

Dhuna në kufi u rikthye, pavarësisht se OKB i kërkoi Izraelit që të tregojë kujdes ekstrem. Zyrtarë të OKB-së thanë se përdorimi i pajustifikuar i armëve të zjarrit mund të cilësohet si vrasje me dashje e civilëve, një shkelje e konventës së katërt të Gjenevës. Por, këto paralajmërime nuk kanë shërbyer, pasi protestës masive palestineze në kufi, Izraeli iu përgjigj me armë.

Palestinezët kanë ngritur kampe në kufi dhe thonë se do të protestojnë aty me javë të tëra, në atë që quhet Marshimi i Madh i Kthimit. Ata duan që Izraeli të lejojë kthimin e palestinezëve në tokat e tyre që tashmë janë brenda kufirit izraelit. Protestuesit e shumtë dogjën goma, hodhën bomba molotov dhe iu afruan tej mase kufirit, pavarësisht paralajmërimeve të ushtrisë izraelite. Kjo e fundit tha se hapi zjarr ndaj grupeve që tentuan të dëmtojnë dhe kalojnë kufirin, duke shfrytëzuar mbulimin e tymit të dendur nga djegia e gomave.

Izraeli duket edhe më i gatshëm të reagojë arshpër pas fjalëve të liderit të Hamasit në Haza, Jahia Sinuar, i cili tha se bota duhet të presë manovrën e madhe palestineze, kur të shpërthehet kufiri dhe ata të luten në xhaminë Al-Aksa, duke iu referuar tempullit kryesor mysliman në Jeruzalem.

Top Channel