Brazil, ish-Presidenti Lula nuk dorëzohet në polici

06/04/2018 19:48

Ish-Presidenti i Brazilit, Luis Inacio Lula da Silva nuk do t’i dorëzohet Policisë Federale në selinë jugore të këtij institucioni, pavarësisht se kështu urdhëroi një gjykatës.

Lula pritej të dorëzohej pasi Gjykata e Lartë vendosi se ai duhet të apelojë dënimin e tij për korrupsion duke qëndruar pas hekurave. Mediat braziliane raportojnë se nuk është e qartë nëse ai ka zgjedhur të dorëzohet në Sao Paulo apo nëse ka vendosur të mos dorëzohet aspak. Lula thotë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe kanë si qëllim që të mos ta lejojnë të kandidojë në garën presidenciale.

Sondazhet e fundit në Brazilit tregojnë se ai është favoriti për zgjedhjet e tetorit të këtij viti, por burgosja do të shuante çdo mundësi garimi. Lula u dënua me 12 vjet burg për korrupsion dhe apelimi i dënimit do të kërkojë muaj, në mos vite. Nëse gjatë kësaj kohe ai qëndron në burg, analistët thonë se do të humbasë jo vetëm zgjedhjet e radhës, por jeta e tij politike merr fund.

Aktualisht, Lula po qëndron në selinë e Sindikatës së Punëtorëve të Metalit në Sao Paulo, pasi dikur ka qenë anëtar i saj.

Lula shërbeu si President nga viti 2003 deri në vitin 2011 dhe ka meritën që nxori dhjetra miliona njerëz nga varfëria, ndërsa Brazili pati periudhën më të gjatë të rritjes ekonomike në histori, arsye që shpjegon popullaritetin e tij ende të madh.

Top Channel