Basha: Protesta vazhdon! Meta: Opozita në Kuvend, qytetarët të dëgjohen

06/04/2018 19:02

Në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike erdhën prindërit e protestuesve të Kukësit që gjykata vendosi t’i mbante në qeli. Pas takimit Basha rezervoi një mesazh me ta në krah

“Këta i do Rama në burg. Por kjo që ka nisur në Kukës nuk do të ndalet. Nuk ndalemi deri sa të lirohen protestuesit që po mbahen në burg, deri sa të anulohet taksa, e të ndalë persekutimi ndaj këtyre njerëzve e të shkojnë para ligjit urdhëruesit dhe ekzekutuesit e kësaj dhune”, tha ai.

Një koment për procedimin e tij dhe deputetëve demokratë që drejtuan protestën e bllokimit të rrugëve të enjten

“Krenar që po hetohemi nga kjo hetuesi politike e cila në mënyrë të verbër mendon se mund të mbysë me akte të rilla revoltën e njerëzve të thjeshtë”, vijoi Basha.

Në fund, një etiketim dhe më pas një destinacion për Kryeministrin.

“Ram frikacak i mbyllur në bunkerin e tij. Futja në bunker është dhe fundi i autokratëve të korruptuar dhe inkriminuar”, u shpreh kreu i PD.

LSI po ashtu deklaroi se protestat do të vijojnë deri në tërheqjen e qeverisë. Por ndërkohë më herët gjatë ditës Ilir Meta rezervoi një mesazh presidencial për të gjithë palët.

“Nuk e kemi luksin as ‘të këpusim një lule’ meqënëse ato kanë filluar të çelin për shkak të pranverës, dhe për shkak edhe të dëmeve që vendi ka pësuar në të kaluarën nga mungesa e dialogut dhe nga fryma e përjashtimit dhe konfrontimit. Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëstudiuar dhe i mirëkonsultuar dhe është e drejtë e çdo qytetari, e çdo komuniteti të kërkojë dhe të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes qendrore edhe vendore për çdo taksë. Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar, ashtu sikurse maxhoranca duhet të jetë më e interesuar për dialog”, tha Meta.

Kryeministria ka deklaruar se sistemi i pagesës në Rrugën e Kombit nuk do të fillojë pa u arritur një zgjidhje e arsyeshme për banorët e zonës.

Top Channel