Turqi, “gylenisti” vret 4 arsimtarë në Eskisehir

05/04/2018 15:06

Një person i armatosur ka qëlluar për vdekje 4 arsimtarë në Universitetin e Eskisehirit, në veriperëndim të Turqisë.

Media turke thotë se agresori është një studiues në Universitetin e qytetit Osmangazi dhe është ndaluar nga policia.

Të vrarët janë një zv.dekan, një sekretar fakulteti dhe dy lektorë, siç bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”. Nga sulmi mbetën të plagosur edhe 3 persona të tjerë, sipas filialit turk të CNN-it.

Motivi i këtij sulmi mbetet ende i paqartë, por raportohet që ai të jetë dorëzuar vullnetarisht. Policia është duke e marrë në pyetje agresorin.

Përmes një deklarate, rektori i universitetit tha se viktima të këtij sulmi kanë rënë zv.dekani i Fakultetit të Edukimit, Mikail Yalcin; sekretari i Fakultetit Fatih Ozmutlu; lektori Serdar Caglak dhe ndihmëslektori Yasir Armagan.

Agresori mësyu fillimisht zyrën e dekanit dhe qëlloi një person aty brenda, sipas rektorit të universitetit, Hasan Gonen. Më pas, ai qëlloi edhe 3 pjesëtarë të tjerë të stafit, në katet e mësipërme të ndërtesës, përpara se të largohej nga godina.

Pamjet televizive treguan punonjësit e emergjencës që shkuan menjëherë në vendngjarje, për t’iu ardhur në ndihmë studentëve dhe pedagogëve të tjerë të shokuar.

Mediet proqeveritare, si “Sabah”, raportojnë se asistenti i kërkimeve shkencore ishte shkarkuar nga detyra më herët si pjesë e hetimeve mbi atë që qeveria e quan si organizatë terroriste fethyllahiste (FETO).

Top Channel