Rama: Kryetari i bashkisë nuk është distancuar nga dhuna. Protestuesit nuk i liroj unë

05/04/2018 13:32

Kryeministri Edi Rama në një komunikim virtual me banorët e Kukësit thotë se nuk e ka takuar kryetarin e Bashkisë së Kukësit, pasi nuk është distancuar nga dhuna. Ai tha se nuk është ai që liron protestuesit e arrestuar, siç dhe iu kërkua edhe nga të pranishmit, por është punë e organeve të drejtësisë.

“Unë nuk e kam takuar kryetarin e bashkisë sepse nuk është distancuar nga dhuna dhe sot e kam dëgjuar që ka thënë madje, se unë qenkam tërhequr nga tarifa, e duhet të kërkoj lirimin e njerëzve. Jetojmë në një shtet që është me Kushtetutë e ligje, me pushtete të ndara. Se kush ndalohet, dhe kush gjykohet nuk është vendimmarrje e qeverisë po organeve ligjzbatuese. Thirrja për të liruar këta e për të liruar ata, është një thirrje që shkon jo vetëm në adresë të gabuar, po në ajër për shkak se ky është një proces që i takon organeve të drejtësisë. Kryetarit të bashkisë Kukës i them që jo vetëm nuk jam tërhequr, po thjesht po vazhdoj një proces që duhet ta kishim bërë më përpara. Kjo është e vërtetë, për këtë kam kërkuar ndjesë dhe ndryshe nga të tjerë përpara, ne as e konsiderojmë veten të pagabueshëm”, tha Rama.

Ai u kërkoi ndjesë sërish për mungesën e komunikimit. “Ju kërkoj ndjesë të gjithëve se kjo pjesë është pjesë e përgjegjësisë sonë. Nuk ka qenë mungesë komunikimi as sepse kemi qenë indiferent ndaj problematikës, as sepse nuk e kemi mendjen tek shqetësimet, problemet, hallet tuaja në përgjithësi dhe as sepse e lanë gjënë të shkonte në rrjedhje të lirë, por për një arsye, nga njëra anë se nuk e vlerësuam si duhet këtë fazë dhe nga ana tjetër ndërkohë që në fund të shkurtit kemi filluar punën për një pikë të kontratës, që është për ata që quhen përdorues të shpeshtë të rrugës, që do të thotë të gjithë ata për të cilët rruga është e domosdoshme dhe me lëvizshmëri të lartë. Nuk duam që prapë të biem në kurthin ku ramë, për fat të keq nga manipulimi që iu bë kësaj çështje dhe keqpërdorimi që iu bë shumë banorëve, me gënjeshtra, shpifje. Në këtë fazë ne po bëjmë këtë punë”, tha Rama.

Top Channel