Poçarët e Pashkëve. Panairi i artizanëve në prag të festës ortodokse në Korçë

05/04/2018 20:09

Qyteti i Korçës shquhet për traditën dhe artin e qeramikës dhe poçerisë. Kjo traditë është kultivuar sidomos gjatë festimit të Pashkës, kur njerëzit blejnë produkte balte si simbolikë e mbarësisë në familje.

Bujar Sula është 63 vjeç dhe ndër të paktët që punon qeramikën në Korçë. Ai e ka nisur rrugëtimin e tij kur ishte vetëm 15 vjeç, por edhe pse kanë kaluar mëse 50 vite nga koha kur e nisi këtë profesion, ende punon me pasion. Me nostalgji kujton kohën e “Artistikes së Korçës”, fabrikës së punimit të qelqit e baltës në qytetin juglindor, ku ndihej i vlerësuar.

“Fëmijëria ime, pasioni, Liceu Artistik për pikturë që kam mbaruar, më kanë lidhur me qeramikën”, shprehet 63-vjeçari.

Bujari riprodhon kukulla, bunkerë dhe objekte kulti me artin e tij. Ai është një prej artistëve që ekspozojnë punët e tyre në Panairin e Poçerisë që organizohet çdo vit në prag të Pashkëve ortodokse. Siç është bërë traditë, objekte prej balte dhe suvenire të formave dhe llojeve të ndryshme blihen nga qytetarët.

“Është traditë prej kohësh, balta blihet të Premten e Zezë”, thonë banorët.

Sot në qytetin e Korçës janë të paktë ata të cilët punojnë qeramikën dhe ruajnë këtë profesion. Të fundit e qeramikëpunuesve duket se shumë pak ua kanë trashëguar këtë profesion fëmijëve të tyre dhe çdo vit numri po reduktohet.

Top Channel