“Ngrihet, s’ngrihet” thjesht metaforë! Mazhoranca rrëzon kërkesën për përjashtimin e Ramës

05/04/2018 19:32

Kërkesa e LSI-së për përjashtimin e Kryeministrit Edi Rama nga punimet e Kuvendit është rrëzuar.

Byroja e Kuvendit, e mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e opozitës vendosi 6 me 3 kundër kësaj kërkese. Mazhoranca thotë se deklarata e Ramës ishte thjeshtë një “metaforë pa qëllim ofendues”.

Kërkesa u dorëzua të mërkurën dhe në të thuhej: “Duke marrë shkas nga sjellja në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Kryeministrit Edi Rama, i cili në seancën plenare të datës 29 mars, me një gjuhë prej rrugaçi përdori fjalor fyes, përçmues e poshtërues ndaj deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ju drejtohemi me kërkesën për përjashtimin e tij nga Kuvendi”.

LSI thotë se ky është një rast i përsëritur i Kryeministrit, por e quan të pashembullt krahasimin e bërë në seancën e së enjtes.

“Krahasimi që Kryeministri Edi Rama ju bën deputetëve dhe qytetarëve shqiptarë me organin gjenital mashkullor është rast i paprecedent dhe shfaqje e shëmtuar e qëndrimit të tij ndaj popullit”, vijon kërkesa e firmosur nga grupi parlamentar i LSI-së.

Top Channel