Gjermania liron me kusht ish-presidentin katalanas

05/04/2018 21:33

Një gjykatë në Gjermani nuk pranoi akuzën e rebelimit, si arsye për të ekstraduar ish-presidentin e Katalonjës, Carles Puigdemont, ndaj dhe urdhëroi lirimin e tij me kusht.

Gjykata në Schleswig-Holstein njoftoi se ai mund të përballet ende me akuzat për korrupsion në Spanjë dhe se nuk e ka përjashtuar ekstradimin, por thjesht e ka pezulluar.

Puigdemont u arrestua muajin e shkuar në veri të Gjermanisë, pasi Spanja nxori një mandatarresti europian për të. Prej një jave, gjykata gjermane konsideronte se çfarë duhej të bënte për kërkesën spanjolle për ekstradimin e Puigdemontit.

Ky i fundit akuzohet nga Spanja për ndarje, rebelim dhe shpërdorim të fondeve publike, për shkak të rolit të tij në referendumin e jashtëligjshëm të vitit të shkuar në Katalonjë.

Për sa i takon akuzës për rebelim, gjykata gjermane tha se ekuivalenti më i afërt në ligjin gjerman ishte tradhtia e lartë. Por, gjykata vendosi se në rastin e Puigdemontit nuk ka elementë dhune, prandaj kjo akuzë ishte e papranueshme.

Megjithatë, gjykata tha se atij mbase do t’i duhet të përgjigjet për shpërdorim fondesh për zhvillimin e referendumit të paautorizuar të pavarësisë.

Gjykata kërkoi më shumë informacion për këtë akuzë dhe vendosi lirinë e tij me kusht, pas pagimit të shumës prej 75 mijë eurosh. Qeveria spanjolle tha se e respekton vendimin e gjykatës gjermane, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo.

Top Channel