Fleckenstein: Nuk ka arsye që Shqipërisë t’i vihen kushte për hapjen e negociatave

05/04/2018 16:38

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, ka deklaruar në një takim me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, se “nuk ka më asnjë arsye që Shqipërisë t’i vihen kushte për hapjen e negociatave”.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj priti në një takim Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, i cili shoqërohej nga ambasadorja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, Xhafaj e informoi Fleckensteinin për prioritetet e institucionit që drejton dhe Policisë së Shtetit, si dhe rreth rezultateve të deritanishme të Ministrisë së Brendshme. Ai e njohu zotin Fleckenstein në mënyrë të hollësishme me arritjet në kuadrin e Operacionit “Forca e Ligjit”; procesin e Vetting-ut në Polici, që nis zbatimin këto ditë; projektin e Policimit në Komunitet, si dhe ritheksoi rezultatet e arritura në çështjen e azil-kërkimit, ku brenda pak muajsh, numri i kërkesave, sipas tij, ra në mënyrë të ndjeshme.

Z.Fleckenstein theksoi se vizita është e shkurtër, por është shumë i kënaqur që u njoh me rezultatet konkrete dhe pozitive, arritur në kaq pak kohë. Po sipas njoftimit, ai u shpreh se reformat e ndërmarra dhe trendi pozitiv në zbatimin e tyre janë të konfirmuara e të vlerësuara edhe nga përfaqësuesit e vendeve të BE-së në Bruksel dhe këtu në Tiranë.

Gjithashtu, ai u shpreh i lumtur mbi deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, e cila kërkoi qartas hapjen e negociatave të pakushtëzuara me Shqipërinë. “Nuk ka më asnjë arsye që Shqipërisë t’i vihen kushte për hapjen e negociatave”, u shpreh z.Fleckenstein.

Ai siguroi mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në lidhje me këtë proces, duke rikonfirmuar se për PE-në nuk ka asnjë diskutim të hapur rreth vendimit për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Top Channel