Ekstremizmi, Borchardt: Policët e burgjeve, trajnim për të identifikuar personat në rrezik

05/04/2018 12:47

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt thotë se punonjësit e burgjeve dhe shërbimit të provës duhet të trajnohen për të identifikuar ekstremistët dhe personat në rrezik.

Ai foli në konferencën “Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm në institucionet e privimit të lirisë dhe shërbimit të provës në Shqipëri”.

“Pikësëpari, duam të ndihmojmë punonjësit e burgjeve dhe të Shërbimit të Provës të identifikojnë ekstremistët dhe personat në rrezik. Më pas, na duhet të shohim se cilat nga praktikat më të mira multidisiplinare të identifikuara dhe zhvilluara në vende të tjera do të rrisnin qëndrueshmërinë personave të privuar nga liria ndaj influencimit ekstremist. Së fundi, duhet të gjejmë mënyra për të bërë për vete sa më shumë radikalë që të jetë e mundur”, tha Borchardt.

Ai shtoi se punonjësit e burgjeve mund t’u shpjegojnë të dënuarve të rrezikuar se si radikalët i joshin të tjerët, me qëllim shfrytëzimin e tyre më vonë. Përfaqësuesit e njohur zyrtarisht të Islamit mund të ofrojnë përkujdesje baritore dhe drejtim shpirtëror.

Shumë vende, përfshirë Shqipërinë, kanë hartuar strategji dhe kanë nxjerrë mësime për mënyrën se si duhet luftuar ekstremizmi i dhunshëm. Për burgjet, Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka përgatitur një Raport Paraprak për situatën aktuale të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit në burgje dhe në shërbimin e provës, i cili do të shërbejë si bazë për Raportin e Vlerësimit të Nevojave në lidhje me këtë fenomen.

Top Channel