Bashkia jep leje sipas VKM-së, IKMT-ja kërkon shembjen e godinave

05/04/2018 20:40

Projektin, që qeveria shqiptare në vitin 2016 e cilësoi një model për investimet në bregdetin shqiptar, sot e cilëson të paligjshëm, duke kërkuar shembjen e lokaleve të ndërtuara me leje provizore sipas kontratave të formuluara me VKM.

Bëhet fjalë për investimin në plazhin e Spillesë, i financuar nga 40 subjekte private, të cilat kanë lidhur kontrata me Bashkinë e Rrogozhinës, por që sot IKMT-ja kërkon t’u shembë ndërtimet.

“Fiks Fare” kontaktoi me përfaqësuesit e këtyre bizneseve, të cilët thanë se kanë lidhur kontratat me Bashkinë sipas VKM-së dhe kanë ndërtuar në përputhje me legjislacionin, duke investuar në total rreth 2 milionë euro.

Por, vetëm pak ditë para se të fillojë sezoni, përfaqësues të IKMT-së u kanë kërkuar verbalisht çmontimin e godinave, ndërkohë që në asnjë pikë të kontratës nuk deklarohet diçka e tillë, derisa ata janë me kontratë deri në 3 vite. Gjithsesi, ata thonë se nuk u ka shkuar asnjë urdhër me shkrim.

Për këtë arsye, “Fiks Fare” u interesua pranë IKMT-së, që sot ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Beqir Nuredini. Bëhet e ditur se kallëzimi është bërë për “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. IKMT-ja thotë se Nuredini, me veprimet apo mosveprimet e tij ka lejuar ndërtimin e 31 objekteve në zonën bregdetare të Spillesë.

“Fiks Fare” iu drejtua edhe kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini. Kryetari i Bashkisë tha se investimi në plazhin e Spillesë është bërë me partneritet publik-privat, me vlerë 2 milionë euro, por që të gjitha paratë janë paguar nga privati.

Sipas tij, kontratat me bizneset janë realizuar sipas një kontrate tip të nxjerrë nga qeveria.

“Në asnjë pikë të kontratës nuk deklarohet se godinat duhet të çmontohen në dimër dhe të montohen në sezon veror. Kontrolli për respektimin e kushteve bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila monitoron bizneset. Në monitorimin e fundit kanë rezultuar vetëm disa shkelje të lehta, të cilat janë rregulluar dhe sivjet janë rinovuar kontratat. Duke marrë shkas nga informacioni i IKMT-së, Bashkia ka kërkuar interpretim të neneve nga Ministria e Turizmit, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës.

Pra, si bizneset, ashtu dhe Bashkia e Rrogozhinës nuk kanë ende një informacion zyrtar sesi do të interpretohen këto kontrata të krijuara nga qeveria, ndërkohë që deri tani, i vetmi institucion që ndërtimet e kryera sipas kontratës i quan të paligjshme është IKMT-ja.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA