A do të sfidojë SHBA “Ariun” dhe “Dragoin”?

05/04/2018 19:04

A do të pranojnë Shtetet e Bashkuara realitetin, apo do të vazhdojnë të sfidojnë Ariun dhe Dragoin? Pyetja e ngritur në mediat ruse lind pas afrimit (edhe ushtarak) të Moskës me Pekinin.

Gjenerali Wei Fenghe, që mban postin e ministrit të Mbrojtjes në Kinë, vizitoi së fundmi Rusinë dhe u sigurua që mesazhi të merrej edhe në Uashington.

“Vizitoj Rusinë si ministër i Mbrojtjes i Kinës për t’i treguar botës bashkëpunimin e dypalësh dhe vendosmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi, por edhe për t’u treguar amerikanëve që jemi këtu krah jush, në mbështetjen tuaj”, citohet gjenerali kinez nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.

Me Putinin në krye Rusia ka qenë agresive në politikën e jashtme dhe ka kundërshtuar Shtetet e Bashkuara pothuajse në çdo qëndrim dhe çdo konflikt, sidomos në Lindjen e Mesme dhe rasti tipik është Siria.

Por, duket se përplasjet ekonomike të Donald Trump me Kinën po e drejtojnë këtë të fundit në një afrim edhe më të madh me Rusinë. Ishte Moska që e nxorri Pekinin nga “politika tradicionale” e jashtme për të mos u përfshirë në konfliktet të largëta, duke “e tërhequr” atë në Siri.

Sërish, Kina nuk është përfshirë në një konflikt të tillë, por sinjalin se po sfidon hegjemoninë amerikane e dha gjatë konfliktit, kur luftëanijet kineze mbërritën në brigjet e Latakias.

Kina argumentoi këtë lëvizje me faktin se qindra shtetas të saj i janë bashkuar ISIS-it dhe kjo ishte një masë gatishmërie për t’u siguruar që asnjëri prej tyre nuk do të rikthehej më në vendlindje, të paktën i gjallë.

Top Channel