Veliaj: Zgjedhja e administratorit ka reduktuar problemet me pallatet

04/04/2018 12:58

Për kryebashkiakun Erion Veliaj zgjedhja e administratorit ka reduktuar problemet me administrimin e pallateve, teksa shtoi se krijimi i tre lagjeve të reja do të afrojë shërbimet për qytetarët.

Pas ngritjes së Task-Forcës, një vit më pas, rreth 2800 pallate në Tiranë kanë zgjedhur kryesitë e tyre për administrimin e mjediseve në bashkëpronësi, ndërsa në 500 të tjera janë zgjedhur edhe administratorët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e zgjedhur dhe grupin e Task-Forcës.

“Fakti që një pjesë e madhe e këtyre problematikave kanë rënë është një lajm shumë i mirë për qytetin”, tha ai.

Veliaj theksoi se për Bashkinë e Tiranës dhe qytetarët e saj është shumë e rëndësishme që procesi të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Ai nënvizoi faktin se ky proces përveçse sjell më shumë rregull në administrimin e problematikave të banorëve të pallateve, është një mundësi shumë e mirë edhe për punësimin e një numri të konsiderueshëm personash, të cilët më parë ose ishin të papunë ose kishin dalë në pension.

“Më jep kënaqësi fakti se qindra vetë i kanë gjetur punë vetes falë angazhimit të komunitetit. Janë punësuar njerëz, jo vetëm task-forca, por sa njerëz po punojnë si adminsitratorë, çojnë një rrogë në shtëpi, që më përpara ose mund të kishin dalë në pension të parakohshëm ose mund të ishin të paangazhuar”, shtoi ai.

Kryebashkiaku falenderoi të gjithë administratorët për kontributin e dhënë për fushatën e mbjelljeve në Tiranë, duke i kërkuar mbështetjen e tyre për vijimin e aksionit deri në datën 22 prill.

“E vlerësoj shumë angazhimin tuaj në fushatën e mbjelljeve. Në një komunitet që prej kohësh vuan nga cinizmi, ironia, sarkazma, t’i bësh të kapin lopatën, të mësojnë fëmijët të duan natyrën, t’i thonë tjetrit mos i hidh plehrat në rrugë, është arritje e vërtetë. Arritja më e madhe nuk është numri i pemëve, se sa numri i mendjeve dhe zemrave që janë bërë palë me qytetarët falë këtij operacioni”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, ai vlerësoi vendimin e Këshillit Bashkiak për shtimin e tre lagjeve të reja në Tiranë, duke theksuar se kjo do i afrojë banorët më shumë me shërbimet dhe u japë mundësi këtyre zonave që të marrin më shumë investime.

“Morëm një vendim në Këshillin Bashkiak për krijimin e tre lagjeve të reja, të cilat do t’i financojmë si lagje të reja. Do të thotë se do të duhet të bëjmë një buxhet specifik për këto lagje të reja. Në inventarin e bashkisë për zonën e Kasharit kemi 12 mijë vetë, por na rezulton nga censusi se aty jetojnë mbi 50 mijë, ndoshta edhe 80. Ama, kemi buxhetuar sikur të jenë 12 mijë. Kjo duhet rregulluar dhe krijimi i lagjeve të reja e realizon këtë. Na mundëson të kuptojmë sa banorë ju shërbejmë dhe si t’i ndajmë investimet për frymë”, deklaroi Veliaj.

Top Channel