Sulmi ndaj “Youtube”, 39-vjeçares po i filtroheshin videot dhe pakësoheshin paratë

04/04/2018 16:55

Gruaja që hapi zjarr të martën në selinë e “YouTube”, pranë San Franciscos, duke plagosur të paktën 3 persona para se të vetëvritej, është identifikuar si 39-vjeçarja Nasim Aghdam.

Policia po përpiqet ende të zbulojë motivin e këtij sulmi në zyrat e kompanisë, pronë e “Alphabet Inc’s Google”, ndërkohë që mediet amerikane thonë se Aghdam ishte irrituar se “Youtube” po filtronte videot e saj dhe po i reduktonte paratë që mund të bënte.

“E gjetëm viktimën me plagë të vetëshkaktuara”, shpjegoi shefi i policisë në San Bruno, Ed Barberini, në një konferencë me gazetarët, duke përshkruar agresoren.

Sipas tij, nuk ka të dhëna që të tregojnë se Aghdam i njihte viktimat e saj, një 36-vjeçar i cili është në rrezik për jetën, një grua 32 vjeç me plagë të rënda, si dhe një 27-vjeçare gjendja e së cilës është më e mirë.

Në të kaluarën, sulmuesja ka postuar nëpër rrjete sociale komente ku shprehte zemërim ndaj “Youtube”-it.

Incidenti ishte deri diku i pazakontë, sepse në episode të tilla përfshihen më së shumti meshkuj. Nga 160 incidente të raportuara në periudhën e viteve 2000-2013, vetëm 6 ishin kryer nga gra.

Todd Sherman, një nga menaxherët në “YouTube”, përshkroi në “Twitter” vrapin e njerëzve, duke menduar fillimisht se bëhej fjalë për tërmet, para se t’i thoshin se dikush po qëllonte me armë.

“Google” njoftoi se po bashkëpunonte me autoritetet lokale. Muajin e kaluar, “YouTube” njoftoi se do t’i bllokojë përmbajtjet që nxisin shitjen e armëve dhe pajisjeve, sikurse edhe videot që mësojnë prodhimin e tyre.

Top Channel