“Kanabisi” pa opozitën, Paloka: Nuk kam njoftuar mbledhje për sot

04/04/2018 13:37

Kryetari i Komisionit hetimor parlamentar “Tahiri”, Edi Paloka ka reaguar menjëherë për mbledhjen e sotme të komisionit, në të cilin opozita nuk është e pranishme. Një tjetër skandal i Ramës me zbatimin e ligjit thotë ai.

“Urdhëron deputetët e tij të Komisionit Hetimor Tahiri, të uzurpojnë drejtimin e komisionit duke shkelur haptazi ligjin për Komisionet Hetimore dhe Rregulloren e miratuar vetëm një javë më parë nga ky Komision. Neni 12 i ligjit ”Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, thotë: Pika1. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ ose me autorizimin e tij nga zv/Kryetari. E njëjta është përcaktuar edhe në nenin 7 të rregullores.

Pika1: Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari dhe/ ose me autorizimin e tij në çdo rast nga zv/kryetari i Komisionit. Data, ora dhe vendi i mbledhjes së Komisionit, caktohen nga kryetari, pasi këshillohet me zv/Kryetarin.

Si kryetar i Komisionit Hetimor “Tahiri”, informoj gjithë opinionin, se sot jo vetëm nuk e kam thirrur komisionin hetimor siç përcaktohet nga ligji, por pas interesimit të administratës të Kuvendit dhe të komisionit i kam njoftuar se sot nuk do të ketë mbledhje të Komisionit Hetimor”, thotë Paloka

Për të mbledhja e sotme është shkelje e ligjit. “Rama pasi privatizoi shtetin, prokurorinë dhe gjykatat, tani po kërkoj të privatizojë edhe parlamentin shqoptar duke u dhënë urdhër deputeteve të tij, që duke shkelur ligjin të uzurpojnë drejtimin e një komisioni hetimor që është kërkuar nga opozita, për të vërtetuar lidhjet kriminale të kësaj qeverie dhe të vetë kryeministrit Rama me kultivimin dhe trafikun e drogës. Ky akt skandaloz bëhet me qëllimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen e opinionit nga një tjetër dhunim i rëndë”, thotë ai.

 

Top Channel