Ikja dhe Nexhmija janë dy motra artizane nga Librazhdi që mundohen të ruajnë traditën e të parëve në qepjen e kostumeve popullore.

Prej disa vitesh ato e ofrojnë punën e tyre të dorës në Durrës, ku janë zhvendosur së bashku me familjet. Informacionet për kalimin e një pjese të biznesit të vogël në skemën e TVSH-së i trembin, duke vënë në dyshim dhe vijimësinë e kësaj tradite që përcillet ndër breza në familjen e tyre.

“E nisëm këtë biznes bashkë me motrën 10 vjet më parë. Fillimisht e nisëm në shtëpi e prej 5 vjetësh morëm një dyqan me qira në Durrës dhe punojmë bashkë. Na ndihmojë dhe vajzat tona. Kemi dëgjuar për aplikimin e TVSh-së dhe për biznesin e vogël. Edhe informacion nuk kemi, po ne artizanet nuk kemi dhe ndonjë fitim të madh”, shprehet Nexhmija.

Në dyqan gjen veshje popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë, qe shquhen për ngjyrat plot jetë, bukurinë e finesën, po fuqia blerëse është e ulët. Kostumet merren kryesisht me qira në gëzime familjare, apo aktivitete shkollore.

“Ne punojmë më shumë me qira se shitje pothuajse nuk ka. Kjo është punë artizane, punë dore dhe nuk e dimë si do të shkojnë punët”, thotë Ikja.

Muaji më i mbarë për to është gushti, muaji i dasmave dhe gëzimeve të tjera familjare, ndërsa periudhën tjetër të vitit e shfrytëzojnë për qepjen e këtyre veshjeve.

Ne Drejtorinë Rajonale të Tatimeve bëjnë të ditur se nga 1 prilli, 1 100 biznese të vogla në Durrës, që realizojnë xhiron vjetore prej 2 milion lekësh në vit, do të kenë detyrimin për të paguar tatimin mbi vlerën e shtuar. Po ende shumë prej subjekteve nuk e kanë të qartë ndikimin që do të ketë ky tatim mbi bizneset dhe vazhdimësinë e tyre.

Top Channel