Kryeministri grek, Alexis Tsipras, në një mbledhje të kabinetit të tij, ka theksuar midis të tjerash përsa i përket politikës së jashtme se në një moment kur Turqia ndodhet në një gjendje të tensionuar, Greqia duhet të zgjidhë frontet e hapura me dy fqinjët e tjerë të saj Shqipërinë dhe ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë.

“Në këtë kuptim duhet të përshpejtojmë këtë përpjekje, të zgjidhim diferencat tona me fqinjët tanë veriorë, me Shqipërinë dhe me ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë, pa u tërhequr nga pozicionimet tona fikse dhe me ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Para mbledhjes qeveritare, Tsipras është informuar nga ministri i Jashtëm grek Nikoz Kotzias për ecurinë e takimeve në Tiranë dhe Vjenë me homologët e tij Bushati dhe Dimitrov.

Gjithashtu, Kotzias ka informuar për zhvillimet në negociatat që ai ka pasur, edhe liderët e partive opozitare greke përveç atij të konservatorëve Kyriakos Mitsotakis, i cili nuk ka pranuar. E ndërsa për çështjet me Tiranën bisedimet duket se do të kenë një kohëzgjatje pak më të madhe, pasi flitet për javët e ardhshme deri në qershor, ato për emrin e fqinjit verior të Greqisë do të jenë shumë të shpejta.

Kjo pasi pas takimit të Vjenës javën e kaluar të dy ministrave në praninë edhe të negociatorit të OKB Mathew Nemitz, Athina dhe Shkupi shprehen se janë me optimistë. Kështu Koztias dhe Dimitrov do të takohen përsëri në 12 prill në një takim që thuhet se do të jetë nga me vendimtarët.

Dy fqinjët duket se kanë rënë dakord për një emër të përbërë, por mbetet ende pa u zgjidhur ndryshimi i 2 neneve në kushtetutën e shtetit fqinj, përsa i përket shprehjeve “gjuha maqedonase” dhe “kombi maqedonas”, të cilat Greqia nuk i pranon.

Top Channel