Tension te Partia Demokratike. Basha shmang përplasjen Mziu-Strazimiri

03/04/2018 20:37

Dita e sotme ka qenë e tensionuar për Partinë Demokratike.

Në mbledhjen e kryetarëve të degëve Lulzim Bashën dhe deputetët, Xhelal Mziu ka debatuar ashpër me Gent Strazimirin. Është dashur ndërhyrja e vetë kryetarit të PD-së për të qetësuar disi gjakrat në mbledhjen e pasdites.

Xhelal Mziu, i cili është edhe kryetar partie i Kamzës, është akuzuar se nuk ka sjellë shumë protestues te Drejtoria e Policisë. Mësohet se Mziu pas kësaj akuze ka tentuar ta godasë Strazimirin, por ka ndërhyrë Basha, duke thënë që sjellje të tilla dëmtojnë opozitën.

Opozita është në përgatitje të protestave që parashikojnë mosbindje civile. Nuk ështe hera e parë që opozita e drejtuar nga Lulzim Basha bën thirrje për mosbindje civile. Kësaj here kërkohet refuzim për pagesën e taksave, e para në listë ajo e kalimit në Rrugën e Kombit.

Por, historia shqiptare ka treguar se realizimi i kësaj proteste nuk funksionon edhe pse format e saj janë mjaft të larmishme dhe si rregull, pa dhunë. Deri tek bllokimi i rrugëve kanë shkuar partitë politike shqiptare, si ky që bëri Partia Demokratike vitin që shkoi, ndërsa vazhdonte edhe protestën në çadër.

Edhe Edi Rama kur ishte në opozitë pat kërcënuar me protesta deri në mosbindje civile në Shqipëri. Socialistët gjithashtu tentuan bllokimin e rrugëve, kur qeveiste Sali Berisha.
Tashmë është Sali Berisha bën thirrje për mosbindje civile deri në rrëzimin e Edi Ramës, por për këtë opozita duhet të realizojë diçka themelore.

Në thelb qëllimi i mosbindjes civile është se njerëzit nuk duhet të lejojnë qeverinë t’u sundojë apo shuajë ndërgjegjen, duke pranuar në heshtje padrejtësitë e saj ndaj tyre.

Top Channel