Në Çepunë një fshat që shtrihet rreth 15 km larg Gjirokastrës, banorët jetojnë mes pasojave të ndërtimeve kaotike; shtëpitë të ndërtuara pa asnjë plan dhe dëmtimit të kanalizimeve e pritave.

Karkale Bajo është pensioniste. Për të jetuar thotë se përpiqet të kultivojë perime por edhe kopshti i saj ashtu si i 10 familjeve të tjera përmbytet sa herë ka reshje prej ujërave të përroit të fshatit.

“Jemi në një situatë shumë të vështirë dhe askush këtu nuk ka vënë dorë”, shprehet një banore.

Banorët thonë se jetojnë në lagështi edhe brenda banesave sepse pritat janë dëmtuar dhe për 15 vjet zgjidhjet kanë qenë provizore.

“Ky përrua paraqet një rrezikshmëri të madhe. Kanë ardhur e kanë pastruar, por ai mbushet sërish”, shprehet Afërdita Melko , banore.

“Sa herë bie shi përmbytemi edhe ne”, thotë Shpresa Shehu.

Uji që përdorej për vaditje gjatë sistemit socialist dhe që ishte i disiplinuar me kanalizime dhe prita prej dekadash është kthyer në tmerrin e banorëve. Një pjesë e tokave që dikur kultivoheshin tani janë zhavorrizuar sepse uji nuk mbërrin kurrë aty ndërsa kopshtet dhe banesat janë nën pushtetin e përroit që i është prerë rruga dhe është devijuar. Banorët kërkojnë një investim serioz për të stabilizuar situatën pasi shtëpinë e tyre po kthehen në të pabanueshme dhe kopshtet nuk prodhojnë më asgjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA