Prokuroria e Kukësit nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për të mbajtur nën arrest shumicën e protestuesve, të ndaluar me urdhër të akuzës që prej mbrëmjes së të shtunës.

Siç tregojnë burime të sigurta të Top Channel, për 11 prej banorëve të Kukësit që u ndaluan për protestën do të kërkohet arrest me burg. Ndërkohë që për pesë të tjerë do t’i parashtrohet gjykatës kërkesa për të vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Sipas këndvështrimit të dy prokurorëve të dosjes, vetëm për shtatë prej të ndaluarve gjykata mund të japë masën e detyrimit me paraqitje derisa në mbyllje të hetimeve për protestën e 31 marsit.

Prokuroria argumenton në kërkesën e dorëzuar gjyqtares së gatshme në Kukës, se masa e arrestit për 16 prej të ndaluarve ose me paraburgim ose në shtëpi, është kërkuar duke vlerësuar provat e deritanishme për protestën, por edhe materialeve të referuara nga policia lokale.

Prokuroria thotë në kërkesën për vlerësim të urdhrave të ndalimit se gjatë kësaj proteste u plagosën 12 efektivë të policisë, ndërkohë që u dëmtuan nga gazi lotsjellës edhe katër protestues.

Për të gjithë ata që kërkohet arresti pretendohet se ka prova që i implikojnë siç janë videot, por edhe shkalla e dhunës e përdorur prej tyre. Ndërkohë që për shtatë të tjerët kërkohet detyrimi me paraqitje duke ju referuar moshës, shkallës së ulët të rrezikshmërisë përshkruhet më tej si edhe gjendjes shëndetësore të njërit prej tyre.

Protestuesit, sipas Prokurorisë, kishin dorëzuar kërkesë për tubimin e 31 marsit, por policia nuk u kishte kthyer përgjigje, sapo janë grumbulluar sipas qëndrimit të prokurorisë protestuesit kanë filluar sulmin duke goditur me sende të forta e duke djegur edhe pikat ku do të paguheshin taksat për rrugën.

Për shkak se është vendosur që masa të zhvillohet në Kukës, policia lokale thonë burimet, ka kërkuar masa shtesë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, numri i të cilëve nuk është vendosur ende se sa do të jetë. Por nga ana tjetër, për shkak se ndryshimet ligjore në kuadër të reformës , përcaktojnë daljen njëkohësisht të të arrestuarve para gjykatës, dhe jo një e nga një siç është proceduar deri me tani, kafazi i gjykatës Kukës nuk e ka hapësirën e mjaftueshme për t’i mbajtur të 23 të ndaluarit.

Në mungesë të një kafazi të tillë, siç shprehen burimet po diskutohet që të ndaluarit të mbahen në sallë me praninë e forcave të policisë duke ndjekur precedentin e hapur më herët nga Krimet e Rënda, pas një mega operacioni që goditi një grup ndërkombëtar të trafikantëve të vizave. Ndërkohë gjatë kësaj të marte, mbështetësit e të ndaluarve kanë vijuar protestën para drejtorisë së Policisë së Tiranës.

“Unë vij nga Italia. Kam ndërprerë kurimin tim në Itali dhe kam ardhur për të mbështetur këta shokë”, shprehet një qytetar.

“Nuk kanë bërë protestë për partinë, por për ekonominë e vetë”, shprehet një tjetër qytetar.

“Do vijnë nga jashtë shtetit për t’i mbështetur. Kjo është katastrofë, nuk e kuptojmë çfarë po bëhet”, thotë një tjetër.

Vepra që ju adresohet të ndaluarve është ajo e kundërshtimit të policisë dhe shkatërrim prone.

Top Channel