Pas kthimit nga emigrimi, Koli Firaj gjeti si mundësi punësimi hapjen e një dyqani fruta-perimesh në një nga lagjet periferike të Korçës.

Prej 8 vitesh, ai siguron të ardhurat për familjen përmes kësaj pune ndërsa tregon se aplikimi i taksës së TVSH do ta rëndojë edhe më tepër.

“TVSH tani na duket një kosto shtesë për biznesin. Duket e padrejtë, kur dikush bën 19 milionë lekë të vjetra xhiro vjetore, ndërsa tjetri kap 20 milionë, dikush përfshihet në taksa tjetri nuk paguan asgjë”, shprehet Firaj.

Ai e sheh si diskriminues faktin që kjo taksë do të aplikohet për bizneset, të cilat arrijnë 2 mln lekë xhiro vjetore, ndërsa sipas tij tashmë i mbeten dy zgjedhje, të risë çmimet ose të mbyllë qepenat e biznesit dhe të mbetet në rrugë të madhe pasi siç tregon edhe pa këtë taksë fitimi është i pakët ndërsa kostot e larta.

“Ose ne të reduktojmë fitimet dhe këtë nuk e dimë për sa kohë mund ta bëjmë, ndërsa zgjidhja e dytë që është më e lehta, por nuk e dimë nëse do të na përgjigjet konsumatori është rritja e çmimeve. Nëse ne nuk e bëj këtë, atëherë këto janë para që na i merr nga xhepi”, thotë tregtari.

Sipas të dhënave, janë rreth 600 biznese në qarkun juglindor të cilët do të duhet të paguajnë TVSH dhe të përballen me këtë sfidë për të mbijetuar.

Top Channel