Organizimi i Lojërave Olimpike shihet shpesh si një motiv për të tërhequr investime, që nuk do të bëheshin kurrë me ekonominë e brishtë të disa vendeve, e ndonjëherë si motiv për t’i rikonfirmuar botës fuqinë ekonomike dhe sportive.
Beteja e radhës, që po prezantohet në lobimin për Lojërat Dimërore, është ajo për edicionin e vitit 2026.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka konfirmuar 7 qytetet kandidate që kanë aplikuar brenda kushteve dhe afateve kohore.
Graz në Austri, Calgary në Kanada, trinomi Cortina d’Ampezzo-Milano-Torino në Itali, Stockholm në Suedi, Sapporo në Japoni, Erzurum në Turqi dhe Sion në Zvicër, janë pikërisht emrat nga të cilët do të dalë edhe organizatori i Lojërave Dimërore pas 8 vitesh.
Cortina (1956) dhe Torino (2006), Sapporo (1972) dhe Calgary në provincën e Albertës (1988) duan të provojnë suksesin për herë të dytë, ndërsa Stockholmi ka një të kaluar për Lojërat Olimpike të verës.
“Synimi ynë nuk është të kemi një numër rekord kandidatësh, por të zgjedhim qytetin më të mirë për atletët më elitarë të botës”, tha presidenti i “IOC”-së, Thomas Bach. Qytetet do të hyjnë tani në një të ashtuquajtur skenë dialogu, e më pas do të prezantojnë në detaje projektet e tyre.
Top Channel