Mueller ishte autorizuar nga Rosenstein për hetimin e Manafortit

03/04/2018 17:07

I emëruari “numër 2” i presidentit Donald Trump në Departamentin e Drejtësisë, Rod Rosenstein ka autorizuar në mënyrë specifike prokurorin special Robert Mueller të hetojë ish-kreun e fushatës së kandidatit republikan asokohe, Paul Manaford, si dhe ka miratuar fajësimin e tij.

Lajmi bëhet i ditur nga prokurorët që dorëzuan aktpadinë ndaj tij orët e vona të së hënës.

Disa prej aleatëve të Trumpit janë shprehur se, duke ndjekur akuzat për pastrim parash, evazion fiskal dhe lobim të paregjistruar ndaj të huajve, kundër Manafortit, Mueller po rrëshqet nga misioni i tij thelbësor i hetimit të bashkëpunimit të pretenduar mes drejtuesve të fushatës së Trumpit dhe Rusisë përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Gjithsesi, ekipi i Muellerit dorëzoi një memo deri më sot sekrete në një gjykatë federale në Uashington, që tregon se vetëm pak muaj pasi Mueller u emërua majin e kaluar, Rosenstein i kishte dhënë atij autoritetin për të shënjestruar Manafortin mbi aspektet financiare të punës së tij lobuese për qeverinë ukrainase, përveç akuzave se ai është i përfshirë në ndërhyrjen ruse të presidencialeve të vitit 2016.

Një pjesë e madhe e tekstit të memos prej 3 faqesh, që u bë publike pas dorëzimit në gjykatë të hënën ishte nxirë, pasi përmbante informacione të klasifikuara dhe tepër të ndjeshme të organeve ligjzbatuese, thonë prokurorët.

Megjithatë, pjesët e tjera duket se identifikojnë subjekte të ndryshme dhe çështje për të cilat Mueller ka qenë i autorizuar për hetim.

Ndërkohë, edhe ekipi ligjor i Manafortit ka dorëzuar një aktpadi më herët gjatë këtij viti, përmes së cilës kërkon të sfidojë autoritetin e Muellerit për hetimin ndaj tij. Seanca dëgjimore për këtë çështje pritet të zhvillohet të mërkurën, nga gjykatësja Amy Berman Jackson.

Manafort dhe ish-ndihmësi i fushatës së Trumpit, Rick Gates, ishin të parët që u paditën në Uashington gjatë tetorit të vitit të kaluar, me akuzat për pastrim parash, fshehje të raportimit të llogarive të huaja bankare dhe dështimin për t’u regjistruar si agjentë të huaj në lidhje me punën e tyre të zhvilluar në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA