Majko me zyrtarët e lartë turq: Projekte për studentët shqiptarë në Turqi

03/04/2018 10:06

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko është takuar me zyrtarë të shtetit turk.

Në fokus të takimti të tij me grupin parlamentar të miqësisë Turqi-Shqipëri në Ankara ka qenë thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë bisedës së zhvilluar në ambientet e parlamentit turk, u diskutua për mundësinë e takimeve të rregullta midis Grupeve Parlamentare të Miqësisë, për të forcuar edhe më tej lidhjet mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Parlamentarët turq shprehën interesin për bashkëpunim në fusha të ndryshme, veçanërisht atë të diasporës. U fol gjithashtu për rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave, në kuadër të projekteve të përbashkëta. Ministri Majko informoi përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Miqësisë për progresin e shënuar deri më tani, në përpjekjet për ndërtimin e strukturave mbështetëse për shqiptarët e diasporës.

Gjatë vizitës së punës në Ankara, Ministri Pandeli Majko u takua edhe me Ministrin e Rinisë dhe Sporteve në Turqi, z. Osman Aşkın Bak. Zyrtari i lartë turk e vlerësoi si tepër të veçantë marrëdhënien mes dy shteteve. “Miqësia jonë i ka rrënjët e thella dhe ripërtërihet kohë pas kohe përmes bashkëpunimeve të frytshme që shtrihen në të gjitha fushat”, tha Ministri turk.

Ndërkaq, Ministri Majko shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që Turqia u ka ofruar shqiptarëve. Duke e vënë theksin tek numri i madh i të rinjve shqiptarë që studiojnë në Turqi, z. Majko kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë mes autoriteteve të të dyja vendeve lidhur me problematika që kanë të bëjnë me këtë komunitet.

Ministri i Rinisë dhe Sporteve shprehu gatishmërinë për programe e projekte të përbashkëta, që do të kenë në qendër të rinjtë. U fol gjithashtu për mundësinë e angazhimit më të madh të diasporës shqiptare në Turqi në aktivitete e iniciativa të ndryshme.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA