“Kukësi” zhvendoset në Tiranë, gjyqi ndaj të ndaluarve do të zhvillohet në kryeqytet

03/04/2018 16:24

Për arsye sigurie, masa për 23 të ndaluarit e protestës nuk do të zhvillohet në qytetin e Kukësit, por në Tiranë.

Ky është vendimi i marrë nga autoritetet pas një vendimmarrjeje të mëparshme që kishte shpallur Gjykatën e Kukësit si vendin ku do të shqyrtohej seanca për të dyshuarit e protestës së 31 marsit.

Vendimi i beftë u mor pak orë pasi policia lokale po përgatitej dhe do të kërkonte forca shtesë për sigurimin e rendit në Kukës.

Por, kancelari i gjykatës deklaron se ndryshimi i vendit ku do të zhvillohet seanca ndodh për mungesë të kapaciteteve, që lidhet me kafazin dhe ambientin e pamjaftueshëm për të mbajtur njëkohësisht në të njëjtën sallë të 23 të ndaluarit.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Kukësit nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për të mbajtur nën arrest shumicën e protestuesve, të ndaluar me urdhër të akuzës që prej mbrëmjes së të shtunës.

Siç tregojnë burime të sigurta të Top Channel, për 11 prej banorëve të Kukësit që u ndaluan për protestën do të kërkohet arrest me burg, ndërkohë që për pesë të tjerë do t’i parashtrohet gjykatës kërkesa për të vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Sipas kendvështrimit të dy prokurorëve të dosjes, vetëm për shtatë prej të ndaluarve gjykata mund të japë masën e detyrimit me paraqitje.

Prokuroria argumenton në kërkesën e dorëzuar gjyqtares së gatshme, se masa e arrestit për 16 prej të ndaluarve, ose me paraburgim ose në shtëpi është kërkuar duke vlerësuar provat e deritanishme për protestën, por edhe materialeve të referuara nga policia lokale.

Prokuroria thotë në kërkesën për vlerësim te urdhrave të ndalimit se gjatë kësaj proteste u plagosën 12 efektivë të policisë, ndërkohë që u dëmtuan nga gazi lotsjellës edhe katër protestues.

Për të gjithë ata që kërkohet arresti pretendohet se ka prova që i implikojnë, siç janë videot, por edhe shkalla e dhunës e përdorur prej tyre.

Ndërkohë, për shtatë të tjerët kërkohet detyrimi me paraqitje duke ju referuar moshës, shkallës së ulët të rrezikshmërisë si edhe gjendjes shëndetësore të njërit prej tyre.

Protestuesit, sipas Prokurorisë, kishin dorëzuar kërkesë për tubimin e 31 marsit, por policia nuk u ka kthyer përgjigjje. Sapo janë grumbulluar, sipas qëndrimit të Prokurorisë, protestuesit kanë filluar sulmin duke goditur me sende të forta e duke djegur edhe pikat, ku do të paguheshin taksat për rrugën.

Ndërkohë gjatë kësaj të marte mbështetësit e të ndaluarve kanë vijuar protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Vepra që ju adresohet të ndaluarve është ajo e kundërshtimit të policisë dhe shkatërrim prone.

Top Channel