Hetimi “Trump-Rusi”, 30 ditë burg për avokatin holandez

03/04/2018 18:10

Viktima e parë e hetimit të FBI-së mbi bashkëpunimin e pretenduar mes ekipit të fushatës presidenciale të Donald Trumpit dhe Rusisë është bërë avokati holandez, Alex van der Zwaan, me 33-vjeçarin që është dënuar me 30 ditë burg sepse mashtroi hetuesit mbi kontaktet e ish-ndihmësit të Trumpit, Rick Gates, me rusët.

Zwaan pranoi fajësinë gjatë muajit shkurt, duke kërkuar në këtë mënyrë një dënim sa më të ulët. Van der Zwaan është dhëndri i një prej njerëzve më të pasur në Rusi dhe ishte personi i 19 i akuzuar nga prokurori special Robert Mueller.

Akuza ndaj tij nuk i referohet gjithsesi fushatës zgjedhore të vitit 2016. Për këtë arsye, as Trump nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.

Në mars, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 19 shtetasve rusë, përfshi 13 persona të akuzuar nga hetimi i Muellerit, mbi pretendimet për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 dhe sulmet kibernetike të ndërmarra në rang botëror.

I dalë përpara gjykatës këtë të martë, Van der Zwaan u gjobit gjithashtu me 20 mijë dollarë, ndërsa do të jetë në liri me kusht për dy muaj.

Por kush është Van der Zwaan? Avokati holandez jeton në Londër dhe ka punuar në të kaluarën në firmën ndërkombëtare ligjore “Skadden, Arps, Slate, Meagher & Flom”. Firma, e cila po bashkëpunon me hetimin dhe e shkarkoi atë nga detyra vitin e kaluar, ishte kontraktuar nga ish-shefi i fushatës Paul Manafort dhe ish-kolegu i tij Gates, në kohën kur ata të dy ishin këshilltarë politikë në Ukrainë.

Van der Zwaan, i cili flet frëngjisht dhe rusisht, është diplomuar nga “King’s College London” në vitin 2006 dhe është i martuar me vajzën e miliarderit rus, German Khan. Martesa e tij me kritiken e artit, Eva Khan, u bë pjesë e kopertinës së revistës ruse “Tatler” vitin e kaluar. German Khan kontrollon “Alfa Group”, një prej grupeve më të mëdha të investimeve në Rusi, si dhe “Alfa Bank”, ku ai është bashkëthemelues, që njihet si banka më e madhe private në Rusi, sipas revistës “Forbes”.

Van der Zwaan pranoi fajësinë në hetimin e prokurorit special gjatë muajit shkurt.

Top Channel