Gazpromi u “nënshtrohet” rregullave antimonopol të BE-së

03/04/2018 17:45

Rregullatorët antimonopol të Bashkimit Europian pritet të pranojnë lëshimet e bëra nga Gazpromi rus gjatë javëve të ardhshme, të cilat synojnë të adresojnë shqetësimet se gjiganti rus i gazit ka abuzuar me pozicionin dominues në Europën Lindore.

Një vendim nga Komisioni Europian pritet të merret brenda këtij muaji, edhe pse afati kohor është i pacaktuar, thonë burime me njohuri mbi këtë çështje.

Pakti i mundshëm do të mund t’i lejonte Gazpromit të shmangte një gjobë të majme, që mund të arrinte deri në 10 për qind të xhiros globale të tij.

Vitin e kaluar, Gazpromi i kontrolluar nga shteti rus, që furnizon me gaz një të tretën e vendeve të Bashkimit Europian, ofroi mundësinë për t’i përshtatur çmimet me standardet e shpërndarësve në tregjet kryesore të gazit në Europën Perëndimore, si dhe çmimet kufitare në Francë, Gjermani dhe Itali, duke lejuar kështu rishikimin e çmimit çdo dy vite.

Kompania u zotua gjithashtu për të hequr të gjitha kufizimet kontraktuale që pengojnë klientët e saj ta rishesin gazin, duke lejuar kështu operatorin e rrjetit të transmetimit bullgar të marrë kontrollin dhe përgjegjësinë e fluksit të gazit mes Bullgarisë dhe Greqisë.

Gazpromi ka ndryshuar drastikisht propozimin e tij origjinal, pas reagimeve negative nga vendet e BE-së dhe klientët, megjithatë elementët kryesorë të propozimit kanë mbetur të pandryshuar, sipas draftit të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA