Franca në grevë, sfida e madhe e Emmanuel Macron

03/04/2018 13:54

Rrjeti hekurudhor francez thjeshtë është ndalur, ndërsa një valë grevash kundër reformave të punës të presidentit Emmanuel Macron kanë nisur tashmë. Fillimi i tyre është quajtur ‘E Marta e zezë’, por aksioni do të përhapet përgjatë tre muajve në vijim, duke prekur dy ditë në cdo pesë prej tyre.

Sindikata e hekurudhave shtetërore kryeson grevën, por edhe sektorët e energjisë dhe mbledhjes së mbeturinave, janë angazhuar. E ky zemërim, përbën edhe sfidën më të madhe për presidentin Macron, që nga zgjedhja e tij majin e kaluar.  Me katër sindikatat kryesore të vendit që mbikqyrin grevën, shërbimet janë reduktuar maksimalisht. 77% e makinistëve janë në grevë dhe 48% e të gjithë stafit të hekurudhave po ashtu.

Vetëm një në tetë trena të shpejtësisë së lartë do të funksionojë dhe po ashtu vetëm një në pesë trena rajonalë. Udhëtarët e linjave drejt Parisit e kanë parë vetën në vështirësi, pasi edhe autobuzët që operonin ishin të tejmbushur. Një faqe interneti që monitoron trafikun e makinave në kryeqytet ka regjistruar vargje të gjata rreth 420 km në orët e pikut.

Shërbimet ndërkombëtare po ashtu janë prekur por jo në përmasa të mëdha. 75% e trenave Eurostar dhe të tjerë që operojnë drejt Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë kanë operuar normalisht, por nuk ka patur shërbime drejt Spanjës, Zvicrës apo Italisë. Edhe trafiku ajror po ashtu është ngadalësuar. Punonjësit e ‘Air France’ që kërkojnë rritje rroge, janë në ditën e katërt të aksionit dhe kompania operon me 75% të fluturimeve.

Top Channel