Defekt në sistem, vonesa në fluturimet në Europë

03/04/2018 19:09

Gjysma e fluturimeve në Europë mund të jenë vonuar gjatë kësaj të marte, kjo për shkak të një problemi në një nga sistemet e përdorura për të menaxhuar trafikun ajror.

Organizata europiane për Sigurinë e Fluturimeve tha se, thuajse 15 mijë fluturime të planifikuara në Europë mund të kenë mbërritur ose të mbërrijnë me vonesë në destinacion.

Planet e emergjencave, ndërkohë, kanë reduktuar kapacitetin e rrjetit me 10 për qind. Problemi pritet të zgjidhet në orët e vona të ditës.

Grupi për sigurinë, që njihet edhe me emrin e shkurtuar të tij “Eurocontrol” thotë se, ka pasur një problem në sistemin e tij të menaxhimit të trafikut ajror.

Sistemi funksionon në bazë të krahasimit të kërkesave dhe kapacitetit të sektorëve të ndryshëm të trafikut ajror.

“Vet kontrolli i trafikut ajror nuk është prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë”, thotë “Eurocontrol”, e sipas tij nuk ka pasoja në siguri nga ky incident.

“Planet e emergjencave do të mbahen operative për disa orë, derisa ne të jemi të sigurtë se ka të dhëna të mjaftueshme në sistem për të lejuar operimin në mënyrë korrekte”, njofton “Eurocontrol”.

Top Channel