Opozita është në përgatitje të protestave që parashikojnë mosbindje civile. Tonet e Lulzim Bashës ishin të ashpra për hapin e parë, kur paralajmëroi se në asnjë rast proteste nuk do të vihet më në dijeni policia.

“Kërkesë nuk ka për të patur loja merr fund”, tha Basha.

“Kamza, Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora të jenë në gatishmëri 24 orë në 24”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Por mëngjesin e ditës më pas nuk kishte kaq koordinim në radhët e opozitës. Jo të gjithë deputetët e PD dhe LSI e kishin kuptuar se kjo nuk do të ishte ditë pune në komisionet parlamentare për ta.

“Parlamenti do vazhdojë për ti dhënë frymë dhe mosbindjes civile”, tha Dashamir Shehi.

Madje jo të gjithë nga LSI janë gati për mosbindje civile. “Z. Basha nuk është kryetar i partisë sime. Unë nuk ndaj të njëjtin mendim”, thotë deputeti i LSI-së, Robert Bitri.

Deputetët demokratë ishin tek drejtoria e policisë në mbështetje të thirrjes për lirimin e protestuesve dhe gati për të shkuar në Kukës për seancën e masave të sigurisë ndaj protestuesve. Çfarë vjen pas të mërkurës pritet ende të vendoset.

Të ushtrosh protestën e mosbindjes civile do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për pasojat ligjore që vijnë nga refuzimi i ligjeve të caktuara shtetit, kërkesave dhe urdhrave të qeverisë. Nuk ështe hera e parë që opozita e drejtuar nga Lulzim Basha bën thirrje për mosbindje civile. Kësaj here kërkohet refuzim për pagesën e taksave, e para në listë ajo e kalimit në Rrugën e Kombit.

Por historia shqiptare ka treguar se realizimi i kësaj proteste nuk funksionon edhe pse format e saj janë mjaft të larmishme dhe si rregull pa dhunë. Deri tek bllokimi i rrugëve kanë shkuar partitë politike shqiptare, si ky që bëri Partia Demokratike vitin që shkoi, ndërsa vazhdonte edhe protestën në çadër.

Edhe Edi Rama kur ishte në opozitë pat kërcënuar me protesta deri në mosbindje civile në Shqipëri. Socialistët gjithashtu tentuan bllokimin e rrugëve, kur qeveiste Sali Berisha.
Tashmë është Sali Berisha bën thirrje për mosbindje civile deri në rrëzimin e Edi Ramës, por për këtë opozita duhet të realizojë diçka themelore.

Në thelb qëllimi i mosbindjes civile është se njerëzit nuk duhet të lejojnë qeverinë t’u sundojë apo shuajë ndërgjegjen, duke pranuar në heshtje padrejtësitë e saj ndaj tyre.

 

Top Channel