Ish-ministri i Drejtësisë dhe këshilltari i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se Prokuroria ka shpërdoruar detyrën në lidhje me arrestimet e protestuesve në Kukës.

Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi thekson se “në aktet e prokurorisë thuhet se ndalimi i protestuesve është bërë midis orës 10:00-13:00, kur në fakt ata janë ndaluar pas orës 02:00 të mëngjesit”.

“Në kërkesën e Prokurorisë Kukës, drejtuar Gjykatës, deklarohet në mënyrë të falsifikuar se masat e ndalimit ndaj 23 qytetarëve të Kukësit janë ekzekutuar nga policia në harkun kohor 10.00 – 13.00. Ky akt përbën vepër penale të falsifikimit dhe provohet jo vetëm nga dëshmia e familjarëve të të ndaluarve, por e të gjithë banorëve të qytetit të Kukësit”, shkruan Bardhi.

Më tej, këshilltari demokrat shton se “të vetëdijshëm për shkeljen flagrante të ligjit, deri në kufijtë e shpërdorimit të detyrës, kur urdhëruan terrorin policor të arrestimit në mes të natës (midis intervalit kohor 02.00 – 03.30 min), Prokuroria dhe Policia kanë konsumuar një tjetër vepër penale, atë të falsifikimit të dokumenteve dhe pasqyrimit në to të të dhënave të pavërteta”.

“Sa për prova se përse i kanë ndaluar, paskan dëshmitë e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë “identifikuar” se kush i ka goditur me gurë!!! Në fund nuk kanë zhgënjyer aspak. Njëlloj si Ministri i Brendshëm, edhe prokuroria referon vetëm punonjës policie të dëmtuar dhe asnjë qytetar! Edhe pse qytetarët janë paraqitur dhe kanë marrë mjekim në Spitalin e Kukësit”, mbyllet postimi i Bardhit.

Top Channel