Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” pa mbikëqyrje policore për kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
E njëjta masë sigurie u caktua edhe për kreun e Qarkut të Lezhës, Gjok Ndoka dhe zv.kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti.
Të tre zyrtarët janë pjesë e personave të akuzuar nga Prokuroria për tjetërsimin e pronave shtetërore në bregdetin e Lezhës, kryesisht në zonën e njohur si Rana e Hedhun.
Më herët, ndaj Fran Frrokaj ishte caktuar masa e sigurisë arrest shtëpiak me mbikëqyrje policore.
Dy javë më parë, avokati i Fran Frrokajt tha në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel se klienti i tij është viktimë dhe se dokumentacionet janë falsifikuar ndër vite nga personat që kanë sot pronësinë e këtyre pronave.
“Disa fshatarë me dokumenta të falsifikuara janë bërë pronarë të një sipërfaqjeje në zonën e Malit të Shëngjinit dhe Malit të Rencit. Fshatarët kanë falsifikuar gjithçka. Kanë mundur t’i regjistrojnë dhe duke shfrytëzuar dobësinë e strukturave administrative, vigjilencën dhe detyrimin e tyre ligjor për të verifikuar, kanë arritur që t’i regjistrojnë këto prona”, deklaroi avokati Neshat Fana.
Avokati thotë se dokumentacionet nuk janë falsifikuar nga asnjë prej institucioneve, ashtu siç akuzon Prokuroria.
“Bashkia, Këshilli i Qarkut dhe Hipoteka kanë qenë në të njëjtën linjë, i kanë quajtur të sakta këto dokumentacione. Këto institucione nuk kanë falsifikuar dokumente, por janë falsifikuar jashtë këtyre institucioneve. Janë falsifikuar edhe vulat e institucioneve, deri tek vula e Këshillit të Qarkut”, u shpreh ai.
Top Channel