Majko në Turqi: Marrëdhëniet e Shqipërisë me diasporën do të sanksionohen me ligj

02/04/2018 09:14

Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është takuar me komunitetin shqiptar në Turqi, ku ndodhen rreth 1 mijë studentë.

Të pranishëm në qendrën ku organizohen kurse e aktivitete të shumta kulturore, ishin përfaqësues të shoqatave shqiptare të tilla si, “Vatra” e “Çamëria”, studentë e profesionistë që kishin mbërritur edhe nga qytete të tjera të Turqisë, si Stambolli dhe Izmiri. Në qytetin e Izmirit veprojnë 4 shoqata shqiptare, të cilat kanë bërë të mundur ngritjen e një qendre për mësimin e gjuhës shqipe. Diaspora atje është angazhuar për botimin e librave dhe hapjen e kanaleve me programe shqip.

Në Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara, kurset për mësimin e gjuhës zhvillohen dy herë në javë. Struktura frekuentohet edhe nga studentë, të cilët kane krijuar Unionin e Studentëve Shqiptarë në Ankara. Të dhënat sugjerojnë se mbi 1000 studentë shqiptarë gjenden në Turqi. Përfaqësuesit e komunitetit u shprehën të nderuar nga vizita e Ministrit Majko, duke e cilësuar atë si pikënisjen e një bashkëpunimi të frytshëm me autoritetet shqiptare.

Majko përgëzoi diasporën në Turqi për punën e bërë deri më tani, në mbrojtje të gjuhës dhe identitetit shqiptar. “Jemi në hapat e parë të një pune që ka nisur pa ne. Organizimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një risi; përpjekjet dhe arritjet e tyre janë të jashtëzakonshme. Por ne po mundohemi t’i çojmë përpara këto përpjekje, duke ndërtuar struktura dhe organizma që do të sanksionojnë me ligj marrëdhënien e shtetit shqiptar me diasporën”, u shpreh Ministri.

Ai informoi të pranishmit mbi bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës për ta trajtuar diasporën si një të tërë dhe marrëveshjet e arritura për arsimin dhe ngritjen e qendrave kulturore shqiptare nëpër botë. Ministri përmendi gjithashtu hapat e ndërmarrë deri më tani për krijimin e strukturave mbështetëse për diasporën, të tilla si Agjencia për Diasporën e Këshilli Koordinues, që do të ketë përfaqësues nga shtete të ndryshme. “Problemet e diasporës do të diskutohen në prani të Presidentit, Kryeministrit dhe ministrave kryesorë, e kjo është garanci e rëndësisë që do të kenë tani e tutje”, vijoi më tej Ministri, i cili foli edhe per Projektligjin për Diasporën dhe atë të Fondit për Zhvillimin.

Ministri Majko u ndal edhe tek përpjekjet që po bëhen në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për krijimin e rrjeteve të profesionistëve dhe nxitjen e bashkëpunimeve mes tyre. Në vizitën e zhvilluar në Qendrën e Kulturës Shqiptare në Ankara, Ministri Majko u shoqërua nga Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Turqi, Genti Gazheli dhe Avni Spahiu.

Top Channel