Nuk ka vonuar përgjigjja e Kinës ndaj vendimit të Donald Trump për të tarifuar importet e çelikut dhe aluminit. Pekini vendosi tarifa deri në 25 përqind ndaj importeve të 128 produkteve amerikane, përfshirë mishin e derrit dhe verën.

Tarifat që prekin importe me vlerë 3 miliardë dollarë, hynë në fuqi të hënën. Pekini bëri të ditur se kjo masë merrej për të mbrojtur interesat e Kinës dhe balancën pas humbjeve të shkaktuara nga tarifat e reja amerikane. Mes produkteve të tjera që do të tarifohen janë arrat, frutat e thata e të freskëta etj.

Pekini është shprehur kundër një lufte tregtare, por ka thënë se nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa ekonomia e vendit dëmtohej. Megjithatë kreu i Shtëpisë së Bardhë këmbëngul se luftërat tregtare janë diçka e mirë dhe se Shtetet e Bashkuara do ta fitonin lehtësisht një betejë të tillë.

Autoritetet amerikane kanë njoftuar tashmë planet për tarifimin e importeve të tjera kineze me vlerë prej dhjetëra miliardë dollarësh dhe gjithashtu për kufizimin e investimeve të vendit në SHBA. Ata e cilësojnë këtë si një kundërpërgjigje ndaj tarifave të padrejta tregtare në Kinë dhe vjedhjes së pronës intelektuale.

Mbetet për t’u parë nëse Kina do të vazhdojë të kundërpërgjigjet me masa edhe me të forta. Pekini mund të taksojë kompani teknologjike të tilla si Apple. Një lëvizje e tillë do të detyronte gjigandët amerikanë të teknologjisë të rrisnin çmimet.

Top Channel