Prej katër ditësh, dy të rinj nga Vlora rezultojnë të humbur në det. Sinjalin e japin familjarët e të riut 32-vjeçar Santo Ymeraj, ku sipas familjarëve 32-vjeçari ka dalë në det ditën e enjte në mbrëmje rreth orës 22-30 me një motor uji dhe komunikimin me familjarët e tij e ka bërë në orën 01:30 minuta të së premtes.

I riu, Santo Ymeraj, është shprehur në tel me familjarët e tij, se: Nuk po shikoj asgjë, deti ka shumë dallgë dhe errësirë e madhe, rrezikoj të mbytem.

Pasi familjarët kanë njoftuar policinë për situatën e djalit të tyre, kanë tentuar sërish të telefonojë 32-vjeçarin, por telefoni i tij dilte i fikur.

Ndërkohë që policia e Vlorës ka nisur kërkimet që nga dita e premte dhe deri më sot , asnjë shenjë jetë për 32-vjeçarin.

Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se është dhe një person tjetër, i cili rezulton i humbur. Pasi nga kontrollet në të gjithë gjirin e Vlorës për gjetjen e 32 vjeçarit, policia kufitare në afërsi zonës së Zvërnecit ka gjetur dhe një mjet detar tip varke.

Nga kontrolli dhe këqyrja e mjetit është gjetur dhe një dorëshkrim, i cili ishte futur në një shishe, ku në të cilin citohej: “Jam Landi. Për nënën time, Jorgjien, lekët janë të fshehura në pllakën e fundit në banjo”.

Ndërkohë që ditën e sotme në vendin ku gjendet mjeti tip varkë, policia e Vlorës ka ardhur për të verifikuar mjetin dhe për të marrë shenjat që mund të kishte ende varka.

Po ashtu burime nga policia e Vlorës, bëjnë me dije se varka ka qenë e pajisur me motor, por nga qëndrimi në det dhe nga përplasjet me shkëmbinjtë motori mund të ketë rënë në det.

Ndërkohë, policia e Vlorës po heton në lidhje me të dy rastet, nëse kanë lidhje me njëri-tjetrin, po ashtu mjete të shumta detare si nga policia kufitare , GDF, Roja bregdetare si dhe një helikopter italian janë në kontrolle të zonës nga Sazani në Karaburun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA