Donald Trump ka ftuar Putinin në Shtëpinë e Bardhë?

02/04/2018 18:14

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dorëzuar një ftesë zyrtare Vladimir Putinit për t’u takuar me të në Shtëpinë e Bardhë.

Të paktën kështu pretendon një këshilltar i lartë i Presidentit rus.

Agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar këshilltarin e shefit të Kremlinit, Yuri Uashakov thonë se ftesa e Trump në adresë të Putin ka mbërritur në muajin shkurt.

Sipas të njëjtave burime, thuhet se Donald Trump ka shprehur dëshirën për të mikpritur Presidentin rus gjatë telefonatës së bërë pas zgjedhjeve presidenciale në Rusi, të cilat Putin i fitoi me mbi 70 për qind të votave.

Pretendimet e Uashakov konfirmohen deri diku edhe nga deklarata e publikuar nga Shtëpia e Bardhë pas telefonatës së urimit të Donald Trump, ku thuhej se dy liderët kanë biseduar vetë për një takim të mundshëm.

Megjithatë, që prej kësaj telefonate dhe kësaj ftese gjërat kanë ndryshuar për keq. Tensionet mes Moskës dhe Perëndimit janë përshkallëzuar pas sulmit me agjent nervor ndaj një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe.

Londra dëboi disa diplomatë rusë dhe kërkoi të njëjtën gjë nga aleatët. Thirrjes iu përgjigjën pozitivisht mbi 20 shtete, anëtare të BE-së dhe NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, që dëbuan 63 diplomatë rusë. Moska iu përgjigj sipas parimit të Talionit, “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, duke dëbuar po kaq diplomatë amerikanë.

Top Channel