Çështja “Skripal”, Lavrov: Mund të ketë gisht Londra

02/04/2018 17:26

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Britaninë e Madhe dhe partnerët perëndimorë se po luajnë lojëra fëmijësh në reagimin e tyre, pas helmimit të ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Ai akuzon vendet për mungesë respekti dhe dezinformim. 29 shtete, mes të cilëve edhe Shqipëria, kanë dëbuar diplomatët rusë pas helmimit, për të cilin Britania e Madhe konsideron përgjegjëse Rusinë.

Por, Lavrovi ka mohuar akuzat si gjatë kësaj të hëne, ashtu edhe më parë.

“Në Luftën e Ftohtë – tha Sergei Lavrov, – kishte rregulla dhe norma. Unë mendoj se partnerët tanë perëndimorë, Britania e Madhe dhe SHBA, por edhe disa vende të tjera që i ndjekin verbërisht, nuk po i respektojnë këto norma. Ne nuk duam të luajmë lojëra fëmijësh, por deri më tani, partnerët tanë po bëjnë pikërisht këtë”.

Ai nënvizoi më tej se u takon atyre të reduktojnë tensionet.

Gjatë konferencës për shtyp, ai sugjeroi gjithashtu se helmimi mund të ishte në interes të qeverisë britanike, pasi devijon vëmendjen nga situata e sikletshme në të cilën ndodhet, si pasojë e procesit të “Brexit”-it.

“Ka shpjegime të tjera. Ekspertët po flasin për to. Sipas tyre, kjo mund të jetë në favor të shërbimeve speciale britanike, të njohura për aftësinë e tyre për të vepruar me licencë për të vrarë. Mund të ketë një numër arsyesh, asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha Lavrov.

Për Lavrovin është gabim që në shënjestër janë vënë diplomatët, të cilët – siç edhe quhen, – kanë si mision të mbështesin marrëdhëniet, të zgjidhin situata të vështira dhe të gjejnë rrugëzgjidhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA